Terapia Fizike
Terapia fizike konsiston në ushtrime dhe lëvizje sistematike të planifikuara, të cilat ndihmojnë fëmijën me sindromë Down në forcimin e muskujve, ia lehtësojnë përvetësimin e aftësive motorike dhe krijimin e modeleve të lëvizjes.
Qëllimi i terapisë fizike është lehtësimi i zhvillimit motorik dhe shmangia ose minimizimi i zhvillimit të lëvizjeve zëvendësuese gjatë qëndrimit dhe lëvizjes, shprehi të cilat fëmijët me sindromë Down janë të prirur për t’i zhvilluar.
Terapia e zhvillimit dhe okupacionale
Terapia e zhvillimit dhe okupacionale ka për qëllim integrimin e aftësive konceptuale, aftësive motorike, aftësive të gjuhës dhe komunikimit, aftësive socio-emocionale dhe vet-ndihmëse.
Kjo terapi konsiston në veprimtari të tilla si manipulimi me objekte, manipulimi me lodra të formave dhe madhësive të ndryshme, renditja dhe ndërtimi me objekte sipas një logjike etj. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj terapie fëmija do të mësoj procesin e veshjes-zhveshjes, procesin e ushqyerjes si dhe aftësi të lojës dhe ndërveprimit me bashkëmoshatarët. Qëllimi i kësaj terapie është zhvillimi i potencialit të fëmijës, në mënyrë që të arrijë pavarësi personale, sociale dhe akademike.
Terapia e Gjuhës dhe Komunikimit
Në terapinë e gjuhës dhe komunikimit bëjnë pjesë programet për komunikim dhe gjuhën e folur. Për të mundësuar një jetë sa më cilësore për fëmijët me sindromë Down, komunikimi dhe gjuha janë një faktor kyç. Një program që ka për qëllim përmirësimin e aftësive komunikuese tek fëmija me sindromë Down si dhe tek fëmijët me zhvillim tipik, duhet të përmbaj këto veçori:
- Ndihma duhet të ofrohet nga një patolog i gjuhës dhe komunikimit (logoped).
- Programi duhet të jetë i punuar në bazë të nevojave të fëmijës;
- Përdorimin e sistemeve teknologjike dhe vizuale, siç është gjuha e shenjave, përmes të cilës fëmija komunikon para se të arrihet zhvillimi i aftësive të të folurit;
- Përdorimi i praktikave më të mira (metodat e sukseshme të cilat janë përdorur dhe me fëmijë të tjerë);
- Edukimi dhe përfshirja e familjes, në mënyrë që praktika të jetë pjesë e jetës së përditshme dhe të mos jetë e kufizuar vetëm brenda orës terapeutike.