Pse është i nevojshëm programi EIH?

Vitet e para të jetës janë periudhë kritike në zhvillimin e çdo fëmije. Të gjithë fëmijët e vegjël kalojnë nëpër ndryshime të shpejta dhe zhvillime të rëndësishme gjatë kësaj kohe. Gjatë këtyre viteve ata arrijnë aftësitë themelore fizike, njohëse, gjuhësore, sociale dhe vetë-ndihmëse, të cilat hedhin themelin për zhvillimin e ardhshëm dhe këto aftësi arrihen sipas modeleve të caktuara të zhvillimit, prandaj rekomandohet ndërhyrje shumë e hershme.

Zhvillimi është një proces i vazhdueshëm që fillon që nga ngjizja dhe vazhdon me faza në një renditje të rregullt. Ka momente të veçanta në secilën nga katër fushat e zhvillimit (aftësive motorike, aftësive gjuhësore, aftësive sociale dhe aftësive vetë-ndihmëse) që shërbejnë si parakushte për fazat që vijojnë.
Zhvillimi i fëmijës pritet të arrijë gurët kilometrik në një moshë të caktuar, e cilësuar edhe si „moshë kyçe“. Për shkak të vështirësive specifike, shumë fëmijë me sindromë Down mund të kenë vonesa në zhvillim në disa fusha, megjithatë ata do të arrijnë gurët kilometrik, njësoj si gjithë fëmijët e tjerë, vetëm se në kohën e tyre. Është shumë e rëndësishme që gjatë monitorimit të zhvillimit të një fëmije me sindromë Down, t’i jepet rëndësi më e madhe arritjes së gurëve kilometrik, sesa moshës në të cilën arrihen.

Ofrimi dhe pranimi i shërbimeve në moshë të hershme por edhe më vonë, mundëson krijimin e një terreni tepër të qëndrueshëm zhvillimor për fëmijën dhe e aftëson atë për në etapat e mëvonshme të jetës duke e orientuar drejt aspekteve të autonomisë personale dhe asaj sociale.

Pranë Qendrave të Shërbimeve të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në kuadër të Programit të Edukimit dhe Intervenimit të Hershëm ofrohen shërbime terapeutike kryesisht në fushën e fizioterapisë, terapisë së zhvillimit dhe terapisë së gjuhës dhe komunkimit, si dhe informimin, mbështetjen e prindërve të rinjë. Në mënyrë që terapia të jetë efektive, në vazhdimësi të procesit terapeutik prindërit dhe familjarët e fëmijëve me sindromë Down informohen dhe udhëzohen se si të punohet me fëmijën në mjedisin familjarë në mënyrë që të përgjithësohen njohuritë dhe aftësitë që fëmija mëson gjatë orës së terapisë.