Mit… Sindroma Down është “sëmundje”
Fakt … Sindroma Down është kusht gjenetik. Individët me këtë sindromë, në çiftin e 21-të të kromozomeve kanë një kromozom shtesë dhe si rrjedhojë kanë 47 kromozome. Sindroma Down nuk është sëmundje ndaj nuk jepet kurë mjekësore për të.
Individi e “KA” sindromën Down, dhe nuk duhet të themi “është i prekur nga…”; “është viktimë e…” ose “vuan nga…”.
Mit … Të gjithë individët me sindromë Down ngjajnë njësoj.
Fakt … Ka disa tipare fizike që karakterizojnë individët me sindromë Down, mirëpo nga këto tipare individi me sindromë Down mund të ketë disa ose asnjërën prej tyre. Një individ me sindromë Down i ngjan më shumë familjarëve të tij sesa një individi tjetër me të njëjtën sindromë.
Mit … Individët me sindromë Down nuk mund të jetojnë stadet e një jete normale.
Fakt…Me mbështetjen e duhur ata munden. Individët me sindromë Down mësojnë të ecin, të flasin dhe shumë prej tyre arsimohen në shkolla të rregullta, punësohen dhe aftësohen për një jetë gjysëm ose plotësisht të pavarur.
Mit … Individët me sindromë Down nuk jetojnë gjatë.
Fakt … Në ditët e sotme jetëgjatësia e individëve me sindromë Down i kalon të 60-at. Vëmendje dhe kujdes të veçantë i duhet kushtuar aspekteve shëndetësore që mund të shoqërojnë sindromën.
Mit …Sindroma Down është e trashëguar.
Fakt… Kemi tri forma të sindromës Down:
Trisomia 21 (Trisomy 21) – ndodh kur në çiftin e 21-të të kromozomeve kemi një kromozom shtesë në çdo qelizë të trupit tonë. Kjo është forma më e përhapur e sindromës Down, 95 % të rasteve në botë.
Mozaicizmi (Mosaicism) – ndodh kur kemi një miksim të qelizave, disa qeliza përmbajnë 46 kromozome e disa 47 kromozome. Mozaicizmi është forma më e rrallë e sindromës Down, 2 % të rasteve në botë.
Translokacioni (Translocation) – numri i kromozomeve është 46, por një kopje e kromozomit të 21-të , i plotë ose i pjesshëm i bashkangjitet një kromozomi tjetër, zakonisht kromozomit të 14-të. Translokaconi është forma e vetme e sindromës Down e cila ka komponent trashëgues, dhe përbën 4% të rasteve në botë.
Mit… Të rriturit me sindromë Down janë njësoj me fëmijët me sindromë Down.
Fakt … Të rriturit me sindromë Down nuk janë fëmijë, dhe nuk duhet të konsiderohen si të tillë. Ata mund të jenë pjesë e aktiviteteve dhe në shoqëri me të rriturit e tjerë. Kanë nevoja dhe ndjenja sikurse bashkëmoshatarët e tyre me zhvillim tipik.
Mit … Individët me sindromë Down nuk mund të punësohen.
Fakt … Individët me sindromë Down mund të aftësohen për punë, nëse atyre u ofrohen shërbime terapeutike që në moshë të hershme, arsimim i mirëfillt dhe aftësim për një jetë të pavarur. Të rriturit me sindromë Down punësohen në pozita të ndryshme: në banka, hotele, spitale, zyra dhe restorante. Si të gjithë individët e tjerë, individët me sindromë Down duan të jenë të punësuar dhe duan që puna e tyre të vlerësohet.
Mit … Individët me sindromë Down janë të paaftë për të krijuar një lidhje.
Fakt … Individët me sindromë Down shoqërohen dhe dijnë të ushqejnë lidhje shoqërore kuptimplotë. Disa prej tyre zgjedhin të krijonë lidhje dhe ta ndërtojnë atë, duke e kurorëzuar edhe me martesë.
Mit … Individët me sindromë Down nuk mund të jenë pjesë aktive e shoqërisë.
Fakt … Individët me sindromë Down mund të jenë pjesë aktive dhe vendimarrëse e shoqërisë, duke qenë edhe kontributdhënës në rrethin ku jetojnë.
Mit … Individët me sindromë Down janë gjithnjë të lumtur.
Fakt … Individët me sindromë Down, si gjithë individët e tjerë, përjetojnë dhe shfaqin një gamë të plotë emocionesh. Socializimi është një pikë e fortë dhe i pa prekur nga prania e kromozomit shtesë.