Kujdesi Shëndetësor

Individët me sindromë Down kanë nevojë për të njëjtat procedura të kujdesit shëndetësor që i jepen si çdo individi tjetër. Megjithatë, ata kanë një rrezik më të lartë për keqformime congenitale (të lindura) dhe gjatë jetës së tyre mund të zhvillojnë një sërë problemesh mjekësore që ndodhin me një frekuencë më të lartë sesa tek pjesa tjetër e popullatës. Vlen të theksohet se përparimi në trajtimin e sëmundjeve dhe në kujdesin shëndetësor në përgjithësi, ka sjellë përparim të shtuar në trajtimin dhe kujdesin shëndetësor edhe për individët me sindromë Down, duke ndikuar kështu në jetëgjatësi dhe në cilësinë e jetës.

Shoqata Europiane e Sindromës Down (EDSA) ka publikuar një udhërrëfyes, “Udhërrëfyesi i kujdesit shëndetësor për individët me sindromë Down”, të veçantë për shëndetin e individëve me sindromë Down dhe ju vjen në ndihmë mjekëve pediatër dhe mjekëve të përgjithshëm, të cilët kujdesen për shëndetin dhe mirëqenien e individëve me sindromë Down. Në këtë udhërrëfyes shpjegohen gjithë kontrollat periodike që duhen bërë sipas moshës përkatëse të individit më sindromë Down.
Shoqata Down Syndrome Kosova, me autorizimin e Shoqatës EDSA ka vënë në përdorim këtë udhërrëfyes në gjuhën shqipe, për t’u ardhë në ndihmë profesionistëve të shëndetit, familjarëve dhe të interesuarve tjerë.