NË PRIZREN U HAP EKSPOZITA “ PERSONAT ME SINDROMËN DOWN NË MBROJTJE TË TRASHËGIMISË KULTURORE” Mbrëmë në hollin e Shtëpisë së Bardhë, është hapur ekspozita me fotografi “Personat me sindromën Down në mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore”. Pjesë e këtij aktiviteti sensibilizues ishin përveç organizatorëve dhe anëtarëve nga Shoqata “ Down Syndrome Kosova”, edhe pjesëtarë të shoqërisë civile dhe zyrtarë të pushtetit lokal në Prizren. Zyrtarja e kësaj shoqate në Prizren, Mimoza Çeku- Rogova, tha se kjo ekspozitë dëshmon përkushtimin e personave të prekur me sindromën Down, për të qenë të barabartë në shoqërinë tonë, duke mos i munguar përkrahja nga kjo e fundit, për të dhënë kontribut edhe në mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore. Drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se edhe ky aktivitet po dëshmon se kjo kategori shoqërore posedon potencial për të adresuar kërkesa në shërbim të përmirësimit të gjendjes së gjithmbarshme në vendin tonë. Ndërkaq, nënkryetari i komunës, Eshref Memaj dhe drejtori i Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, e vlerësun tejet të rëndësishëm këtë ekspozitë nga DSK, dhe shprehen gatishmërinë e tyre për mbështetje institucionale jo vetëm të anëtarëve të kësaj shoqate. Fotografitë e ekspozuara janë realizuar nga anëtarët e DSK-së, në shumë pika të zgjedhura ,me të cilat dallohet Prizreni për Trashëgimi të pasur Kulturore.