Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar gjatë takimit të sotëm me ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, kërkoi nga ministri angazhim më të madh rreth përmirësimit të cilësisë së arsimit për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kryetari i FKAK-së Bujar Kadriu, e informoj më në detaje ministrin lidhur me gjendjen aktuale dhe problemet në fushën etha arsimit me të cilat përballen fëmijet me aftësi të kufizuara. Ndërkaq përfaqësuesi nga Shoqata Kosovare e të Shurdhërve Nebi Preniqi, theksoj problematikën e analfabetizmit tek personat e shurdhër. Siç ai, personat e shurdhër edhe përkundër përfundimit të shkollimit fillor dhe të mesëm, vazhdojnë të mos dinë shkrimë dhe lexim. Drejtoresha e Down Syndrom Kosova Sebahate Beqiri, shprehu paknaqësi me mënyrën se si është bërë gjithëpërfshirja në arsim e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Përveç kësaj ajo ishte kritike edhe me mënyrën e gabuar të pasqyrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në librat shkollor. Ministri Bytyqi, u zotua që kërkesat e ardhura nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar dhe organizatat që përfaqësojnë interesat e Personave me Aftësi të Kufizuara, do të trajtohen seriozisht. Gjithashtu ministri Bytyqi, theksoi se angazhimi i 100 asistentëve të rregullt si dhe iniciativa tjetër për angazhimin e studentëve vullnetar për të punuar me fëmijët me aftësi të kufizuar, tregon synimin e ministrisë për të bërë më të mirën për këtë pjesë të shoqërisë. Si përfundim palët u dakorduan që në kuadër të punësimit të 100 asistentëve tre prej tyre të punësohen në Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren.